Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 29-vjetorin Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.
Sipas Abdixhikut, gjenocidi në Srebrenicë ka qenë tragjedia më e madhe njerëzore nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
“Sot në 29 vjetorin e gjenocidit së Srebrenicës, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e këtij akti çnjerëzor. Vrasja e gjakftohtë e 8,372 civilëve boshnjak nga aparati shtetëror dhe represiv serb më 11 korrik të vitit 1995, është tragjedia më e madhe njerëzore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Abdixhiku.
Ai më tej tha se mohimi i këtij gjenocidi nga shteti serb, tregojnë qartazi për mospendesën e Serbisë dhe qëllimet e pandryshueshme historike.
“Gjersa, mohimi i vazhdueshëm i këtij gjenocidi nga shteti serb si dhe proklamimi i projektit politik e kulturor për Serbinë e Madhe tregojnë qartazi për mospendesën e Serbisë dhe qëllimet e pandryshueshme historike për destabilizimin e rajonit. Mospendesa, mohimi e ikja nga përgjegjësia vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm relacionet mes popujve por dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike që Ballkani Perëndimor duhet të ketë”, shtoi ai.