Ka dështuar të vendoset gurthemeli për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë për shkak se janë pezulluar punimet nga Gjykata Komerciale.
Sipas Komunës së Podujevës, kjo është bërë për shkak të ankesës së operatorit ekonomik që nuk e ka fituar tenderin.
Pas këtij rasti ka reaguar kryetari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni.
Reagimi i plotë:
Këta vjedhin edhe në objekte shkollore
Më 6 qershor 2023 është nënshkruar kontrata për ndërtimin e shkollës Ekonomike “Isa Boletini” dhe punimet është dashur të përfundojnë brenda një viti.
Një vit pas, pushteti lokal e qendror vet paralajmëruan vënien e gurthemelit të shkollës “Isa Boletini”, vet e dështuan.
Anipse ndër kompanitë që kishin konkuruar kishte me çmim dukshëm më të lirë se sa kompania fituese, megjithatë komuna kishte shpallur fitues kompaninë, e cila ishte e shtata në rënditje për çmim më të lirë, e kriter i shpalljes ishte oferuesi më i lirë.
Në muajin gusht të 2023-tës, ishte marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurorimit, pas ankesave që disa nga kompanitë tjera kishin parashtruar në OSHP. Si rrjedhojë e saj lënda kishte shkuar në rivlersim.
Por në shpërfillje të plotë nga kjo, Komuna e Podujevës vendosi ta nënshkruaj kontratën me operatorin më të shtrenjtë e që kushtonte hiç më pak se 617 mijë euro më shtrenjtë.
Tenderi për ndërtimin e shkollës “Isa Boletini”, është shpërfaqja faktike e një qeverisjeje të korruptuar fort dhe një keqpërdorimi flagrant, ku komuna vendoset komplet në favor të favorizimit dhe kurdisjes së tenderit.
Këtu dëshmohen qartë tendencat për zhvatje, përfitim e hajni të pastër.
Një gjë e tillë u shpërfaq sheshit e të gjithë e kuptuan se qeverisja LVV-së me në krye Shpejtim Bulliqin kanë shpejtuar të vjedhin në çdo mundësi edhe pak kohë sa u ka mbetur, madje nuk po kursehen as në objekte shkollore.
Për t’i vu kapak kësaj hajnie të pastër, kishte paralajmëruar ardhjen në Podujevë edhe Kurti e Nagavci, që t’i nisnin punimet e objektit që procedurën e kishte fund e krye te kurdisur.
Çdo gjë tashmë ishte e gatshme, të gjitha përgatitjet ishin bërë, por nuk erdhën kryeprotagonistët. Nuk erdhën sepse si opozitë bashkë me mediat zbuluam e paraqitëm në publik fakte që tregonin se ishte gjykata e themeluar në mandatin e Kurtit që e pezulloi këtë procedurë, por në shkelje të plotë të Këtij vendimi u shfaqën dyshja Bulliqi dhe Kurti.
Gjithmonë do të jemi të gatshëm që si LDK-Podujevë do të jemi në krye të detyrës në mbrojtje të interesit qytetarë edhe atëherë kur buxhetin e Llapit tentojnë ta dëmtojnë qeveria lokale e qendrore.
Kjo përpjekje u ndalua sot, por nuk do thotë se u ndalua hajnia, por vetëm u parandalua ndaj do të jemi të vëmendshëm dhe të pakompromis në përballje me ta.
Hajnia e tyre përfundon, kur përfundon edhe pushteti i tyre.