Presidentja Vjosa Osmani do të pritet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke u bërë kështu udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të Administratës Trump.
Sipas njoftimit në webfaqen e DASH, Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, shkruan Reporteri.net.
“Në orën 9:30, zyrtari i lartë i Byrosë Bono takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu në Departamentin e Shtetit”, thuhet në njoftim.
Nga Presidenca e Kosovës nuk është lëshuar ndonjë njoftim për këtë takim. Njoftim s’ka pasur as që Osmani ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.