Sekretari organizativ i AAK-së për diasporë, Sokol Mehmetaj, është shprehur i shqetësuar në lidhje me organizimin e transportit të votave nga Cyrihu.
Nëpërmjet një postimi në Facebook ku Mehmetaj ka ndarë edhe disa fotografi, ai tregon se në mëngjesine sotëm, i kanë marrë fletëvotimet nga posta, i numëruan dhe më pas i kanë dërguar në konsullatë në Cyrih.
Mirëpo, siç thotë ai, më pas është informuar se 15 mijë e 483 vota do të transportohen me një autobus, me targa diplomatike shqiptare “CD-55 27 A”, të shoqëruara nga një shofer dhe ndihmësi i tij në një udhëtim disaditor nëpër Shtutgar, Vjenë, Zagreb, Lubjanë e më pas Prishtinë.
“Dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time më të thellë për organizimin e papranueshëm të transportit të votave nga Cyrihi. Si sekretar organizativ i AAK-së për diasporë, jam thellësisht i shqetësuar për mënyrën e kryerjes së këtij operacioni dhe rreziqet serioze që paraqet për integritetin e rezultateve. Në mëngjesin e sotëm më datën 03.02.2025, ne i morëm fletëvotimet nga posta i numëruam dhe më pas i çuam në konsullatë në Cyrih. Gjatë këtij akti ishin të pranishëm të gjithë komisionerët e secilës parti për të garantuar transparencën e procesit. Mirëpo, u informuam se 15483 vota do të transportohen me një autobus, më targa diplomatike shqiptare,CD-55 27A, të shoqëruar nga një shofer dhe ndihmësi i tij, në një udhëtim disaditor nëpër Shtutgart,Vienë,Zagreb,Lubjanë dhe Prishtinë. Kjo përbën një problem të madh jo vetëm për sigurinë fizike të votave, por edhe për transparencën e procesit zgjedhor”, ka shkruar Mehmetaj.
Më tej, sekretari organizativ i AAK-së, thotë se kjo është e papranueshme për faktin që këto vota po transportohen në mënyrë të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh.
Ai shprehet i shqetësuar në lidhje me fatin e votave – se ato mund të manipulohen ose të ndryshohen gjatë udhëtimit.
No photo description available.
“Është krejtësisht i papranueshëm fakti që këto vota po transportohen në mënyrë kaq të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh. Si mund të sigurohemi që këto vota, të ruajtura në një automjet në tranzit, të mos manipulohen ose ndryshohen gjatë këtij udhëtimi të gjatë? Rreziku i mashtrimit është i lartë dhe kjo vë seriozisht në pikëpyetje besimin e publikut në procesin zgjedhor. Është e pakuptueshme që KQZ zgjodhi një transport rrugor kaq të rrezikshëm, kur zgjidhjet më të sigurta dhe më të shpejta, si dërgimi me rrugë ajrore, ishin kryesisht të realizueshme. Transporti ajror jo vetëm që do të kishte siguruar shpërndarje më të shpejtë, por edhe siguri më të mirë të votave, duke ulur ndjeshëm mundësitë e manipulimit”.
Në fund, Mehmetaj thotë se KQZ-ja ka dështuar në misionin e saj për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, duke vënë në funksion një organizim të tillë. Poashtu, ai i bën thirrje KQZ-së që të marrë masat e nevojshme për të përmirësuar këtë lloj të transportit dhe për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve.
“Besoj se KQZ ka dështuar në misionin e saj për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor duke vënë në funksion një organizim kaq të metë. Siguria e votimit duhet të jetë prioriteti kryesor dhe është e domosdoshme që në të ardhmen të merren masa më rigoroze për të parandaluar përsëritjen e kësaj lloj situate. Kërkoj nga KQZ që të merrni menjëherë masat e nevojshme për të përmirësuar organizimin e këtij lloj transporti dhe për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve . Mungesa e ashpërsisë e vërejtur këtu nuk është e pranueshme dhe shpresoj se do të ndërmerren veprime konkrete për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor”, përfundon Mehmetaj.