E para herë që një lider shteti u drejtohet komunave me fjalët se buxheti i juaj s’është i juaji “por, ua jep qeveria” siç qe rasti në Skenderaj, Drenas e Therandë – ku kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bëri fushtë duke thënë se 90% e buxhetit të atyre komunave vjen nga Qeveria e Kosovës e jo nga të hyrat vetanake.
Për këtë ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, duke e vlerësuar për “qortim dhe shantazh” ndaj komunave ku nuk udhëheq Vetëvendosja.
“Në Skenderaj iu tha njerëzve se veç 8.5% e buxhetit mblidhet nga të hyrat vetanake që i mbledh komuna. Madje e ilustroi: ‘nga 11 euro, as 1 euro nuk vjen prej jush’. Pra, ju gjithçka keni prej nesh. Njëjtë bëri në Drenas, njejtë në Suharekë. E shikuam buxhetin, i pamë edhe komunat që qeverisen prej VV-së, ishin veç ma keq. Podujeva ku qeveris VV mbledh veç 6% të buxhetit me të hyra vetanake. Thënë me fjalë të Kurtit i bie se nga 11 euro ata mbledhin veç 66 centë. Shtimja e ‘çliruar’ mblidhka 8%, ose 88 centë prej 11 eurove”, shkroi Molliqaj.
“Sigurisht se këto fjalë Kurti nuk i flet në komunat e ‘tij’. Këto janë fjalët qortim e shantazh për ata që “babës” nuk po i rrijnë n’vijë. Bukëpërmbysuri do dënuar sepse të mirat peshë e kanë çu, apo jo? Babai nevrik e koprrac i kushtëzon edhe pagat e fëmijëve që nuk janë djersë e tij. Granti qeveritar nuk është shpërblim i tij sepse buxheti mblidhet nga taksat e tatimet që i paguan secili, pavarësisht komunës”, tha ai.