Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
Në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të Zvicrës, anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thanë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vjetësh negociata dhe sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.
“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, tha Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Kryeministri kosovar tha se është i bindur se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët.
Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, tha se kjo marrëveshje është arritje e madhe për integrimin e Kosovës në sistemin global.“Jam e bindur se kjo do të shtyjë përpara rritjen ekonomike, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe qytetarët në të dyja palët”, tha ajo.
Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind dhe rënie të inflacionit. Por, shteti përballet me nivel të lartë të importit, krahasuar me atë të eksportit.
Myrseth nga EFTA tha se viteve të fundit, tregtia mes shteteve të EFTA-s është rritur shumë dhe ka arritur në mbi 176 milionë euro.
“Me lidhjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mund të presim që tregtia të rritet edhe më shumë”, theksoi ajo.
EFTA tha se përveç shërbimeve financiare janë përfshirë edhe të drejtat e pronësisë intelektuale.Kosova tha se me marrëveshja të tilla synon të tërheqë investitorët e huaj që të investojnë në vend.EFTA është krijuar më 1960 me synimin që të promovojë tregtinë e lirë.Marrëveshja për Tregti të Lirë, që Kosova nënshkroi me EFTA-n, ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave.Konsumatorët dhe kompanitë mund të përfitojnë nga çmime më të lira, ndërkaq kompanitë vendore mund t’i shesin produktet e tyre në tregjet e huaja me më shumë lehtësi.
Marrëveshje për Tregti të Lirë Kosova ka nënshkruar edhe me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA). Kjo marrëveshje, ku bëjnë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve.