Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Reçakut në 26 vjetorin e saj.
Osmani tha se Reçaku është pjesë e identitetit kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për të mbrojtur shtetin e pavarur të Kosovës.
“Ne nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërteten që ajo përfaqëson. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për ta mbrojtur shtetin tonë të pavarur, sovran, të lirë dhe demokratik. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë, çdo ditë, në çdo forum dhe kudo në botë. Duhet ta dëshmojmë se në vitet e 98-99ta populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, tha ajo.
Presidentja theksoi se Aleksandar Vuçiq ende vazhdon ta mohojë këtë masakër dhe se ai vazhdon me të njëjten mendësi si në vitet e 90-ta.
“Në kohën kur Reçaku dhe e gjithë Kosova akoma kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo çka shohim sot në Serbi është vazhdimësi e mendësisë së viteve të 90-ta, e cila shkaktoi mbi 100 mijë civilë të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin në Serbi, propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, mohon atë që bota e pa me sy dhe e quan Millosheviqin si njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe dhe në një tjetër dërgon forcat paramilitare terroriste për të sulmuar Kosovën. Por sikurse në vitet e 90-ta, njësoj edhe sot, Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe mbrojnë çdo pëllëmbë të saj”, tha ajo.