Një 36-vjeçar ka vdekur dje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, pasi i është përkeqësuar gjendja teksa po merrte infuzion. Policia tashmë ka nisur hetimet mbi vdekjen.
Detaje rreth rastit për Reporteri.net ka dhënë Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Adelina Stublla.
Stublla tha se pacienti ishte kontrolluar nga mjeku specialist dhe i njëjti i kishte caktuar marrje të infuzionit.
Derisa po e merrte infuzionin, Stublla ka thënë se atij i është përkeqësuar gjendja. Ajo tha se pavarësisht se i njëjti është reanimuar, nuk kanë arritur ta kthejnë në jetë.
“Rasti ka ndodhur dje ku pacienti ka kërkuar ndihmë mjekësore në mjekësi familjare ku është kontrolluar nga mjeku specialist familjar dhe e cila ka caktuar marrje të terapisë infuzive ku gjatë marrjes së infuzionit ka ndodhë përkeqësim i gjendjes së pacientit ku i njëjti është reanimuar nga stafi shëndetësor (mes tyre edhe dy specialiste të mjekësisë familjare) në dhomën e reanimimit pastaj kanë vazhduar dy ekipe të urgjencës ku vetë shefi i urgjencës specialist për emergjencë e ka marrë rastin në dorë të cilët kanë kryer veprimet protokollare, por pa sukses rikthimi në jetë. Trupi është dërguar për autopsi për të sqaruar shkakun e vdekjes”, ka deklaruar Stublla.
Në raportin 24 orësh të Policisë është bërë e ditur se kanë filluar hetimet për rastin.
“Podujevë / 09.01.2025-12:30. Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.