Donald Trump thotë se shpreson t’i japë fund luftës në Ukrainë “shumë përpara se” të arrijë gjashtë muaj në detyrë.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ka thënë më parë se mund ta zgjidhë konfliktin “brenda 24 orëve” nga fillimi i mandatit të tij të dytë, pa shpjeguar se si do ta bënte këtë.
Duke folur në një konferencë shtypi në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida dje, Trump u pyet nëse ai mund t’i jepte fund luftës në gjashtë muaj.
“Shpresoj të kem gjashtë muaj. Jo, do të mendoja, shpresoj, shumë më parë se gjashtë muaj”, u përgjigj ai.
“Shikoni, Rusia po humb shumë të rinj, po ashtu edhe Ukraina, dhe kjo nuk do të duhej kurrë të kishte filluar”.
Trump u ankua gjithashtu se nuk mund të takohet me Vladimir Putin deri të marrë detyrën më 20 janar. Ai tha, pa dhënë detaje, se një takim i tillë do të ishte i papërshtatshëm.
“E di që Putini do të donte të takoheshim”, tha ai.
“Unë nuk mendoj se është e përshtatshme që të takohem para datës 20, gjë që e urrej, sepse, e dini, çdo ditë shumë të rinj po vriten”, shtoi ai.
Duke folur për dëshirën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, të cilën Joe Biden e ka mbështetur, Trump tha se mund t’i “kuptojë” arsyet e Rusisë për të mos dëshiruar që kjo të ndodhë.
Ai tha se Rusia nuk ka dashur që Ukraina t’i bashkohet aleancës “për shumë e shumë vite, shumë përpara Putinit”, dhe fajësoi Biden për gjoja ndryshimin e pozicionit të SHBA-së për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. /