Derisa Kryeministri Kurti hedh nga një lopatë beton gurthemeli në shtime për ndërtimin e objektit të ri komunal i shoqëruar nga Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla dhe para dy ditësh në Drenas për objektin e ri të QKMF-së, Kosova ndodhet në terr energjetik.
Kurti në Kaçanik dhe në Podujevë u ka kërkuar sërish 500 mijë vota qytetarëve edhe për një mandat qeverisës katër vjeçar, ndërkaq gjendja me energjinë elektrike nuk ka qenë më e keqe as menjëherë pas lufte.
Ka informacione se numër i konsiderueshëm mërgimtarësh po kthehen nga kanë ardhur, pasi nuk kanë gjetur as kushte minimale në shtëpitë e tyre për t’i kaluar festat e fundvitit.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi: Qytetarët janë shkëputur nga sistemi energjetik
“Ka një fakt që nuk e ndryshoni dot, para se të vini ju në pushtet, qytetarët e Kosovës kanë pasur dritë, ndërsa ju i kthyet në terr”, ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, duke rikujtuar një diskutim për refuzimin e gazit amerikan dhe projekteve të energjisë elektirke.
“Ksova është në krizë energjetike. Kriza energjetike nëpër të cilën po kalon vendi, është krizë reale dhe e prekshme për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Mënyra më e drejtpërdrejtë që e ndjejnë qytetarët e vendit, janë reduktimet e rrymës dhe nga ajo që po e shoh e që keni sjell vendimin është shkëputja e qytetarëve nga sistemi i rrymës. Ka më shumë se dy javë që ne si Parti Demokratike ju kemi thirr të vini me një vendim që bazohet te neni 25 i ligjit për energjinë dhe siç tha zoti Shala që i përfshin të gjitha ato elemente për me përballu krizën, e jo vetëm një çek të bardhë siç thuhet për t’ua ndal rrymën qytetarëve kur dojnë institucionet vartëse të Qeverisë. Krejt çka ka bërë Qeveria këto ditë është të racionalizojmë shpenzimin e rrymës qe ne e kuptojmë se ajo ka dështuar të bëjë planifikimin e duhur si në masa rregullatorë, ashtu edhe në linja buxhetore dhe nuk e di cila ka qenë shtytja që e ka shtyrë Qeverinë të mos merr masa me kohë, por në fund të fundit neve na intereson zgjidhja e jo arsyetimet. Formula e reduktimeve në Kosovë që e mbajmë mend të gjithë si 8 me 4, 3 me 3, 2 me 2 dhe fatmirësisht nga vitit 2008 kjo formulë u harru shpejt dhe vendi u stabilizua me energji elektrike si në pranverë, në verë , në vjeshtë e dimër dhe ai stabilitet nuk ka qenë dhuratë e as rrjedhojë e parullave, por ka qenë manifestimi përkushtimit për ta menaxhuar me kohë trendin e energjisë …
Para se të vini ju në pushtet kemi pasur drita stabile e me ardhjen tuaj ju e kthyet terrin në Kosovë dhe qytetarët po e kuptojnë se ju jeni të paaftë për ta menaxhuar krizën por edhe të papërgjegjshëm ndaj përgjegjësisë. Kryeministri qe nja 3-4 ditë po mundohet me heq një vesvese e po më vjen keq që ky aq shumë po e merr të rëndësishëm këtë problem sa as sot nuk po vjen me arsyetuar vendimin e tij, po këtë vesvese po tentojmë me ja hjek edhe na, me e çliru nga ky tundim…”ka thënë Krasniqi.
Më pas Krasniqi ka folur për heqjen dorë të Qeverisë nga gazi amerikan dhe projektet tjera me rëndësi përmes të cilave Kosova do ta zgjidhte krizën energjetike.
Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri: Disa lagje në Gjilan 30 orë pa rrymë elektrike
“Sonte manifestohet “Pakënaqësia n’fundvit” ka shkruar në një postim në Facebook Kryetari i degës së LDK-së së Gjilanit Lutfi Haziri dhe ka precizuar se, qeveria i la gjilanasit deri në 30 orë pa rrymë, mes territ e ftohtit!
“Prej një komune e cila ishte shembull edhe për komunat tjera për nga investimet, në një komunë të territ e mjerimit. Disa lagje nuk kanë egjergji elektrike qe më shumë se 30 orë.
Për gjilanasit e Anamoravën, pos mungesës në investime dhe përjashtimit nga kujdesi i qeverisë e i Komunës, tash moskujdesi dhe përjashtimi shpërfaqet edhe në të drejtën e elementare për të pasur së paku rrymë.
Terri dhe ftohti po e rritë depresionin politik e ekonomik, që nuk ia kemi pasur për borxh.
Kjo është ‘mirëseardhja’ për mërgimtarët, në një shesh të dekoruar me drita e shtëpiza, por pa ndiçim e ngrohje.
Kjo përkthehet me atë që LDK në Gjilan e ka thënë në vazhdimësi: kur shkilet vullneti dhe e drejta me tërë fuqinë e arrogancën e pushtetit nga padija e mospuna.
Qeveria qendrore sonte e viziton Gjilanin, në organizimin e gastronomisë “Kënaqësi n’fundvit”. Sigurisht, sot në këtë event, qytetarët së bashku me të do ta manifestojnë Pakënaqësinë n’fundvit, pakënaqësinë gjatë gjithë këtij mandati.
Fundvit n’terr për Gjilanin, edhe një vit i humbur, madje mandat i humbur për komunën tonë! Ky nuk është fundvit i keq,por mandat i keq e deshpërim!
Qytetarët dhe bashkëatdhetarët nuk ia patën për borxh mbylljen e vitit në këtë mënyrë denigruese.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Visar Azemi: Disa pjesë të Ferizajt 30 orë pa rrymë.
Janë bërë gati 30 orë që disa pjesë të qytetit të Ferizajit janë pa rrymë, ka publikuar Azemi në postimin e tij.
“Qytetarët tanë janë të harruar dhe po vuajnë nga mungesa e energjisë, ndërsa pushteti vazhdon të shkatërrojë çdo mundësi për një jetë të dinjitetshme.
Nuk mjafton vetëm dorëheqja! Ky pushtet është përgjegjës për krizën që po e kalojnë njerëzit.
Mafia energjetike është në veprim që bashkë me njerëz të pushtetit, e kanë lënë Ferizajin në terr. Kjo është skandaloze!
Më 9 shkurt, duhet të largohet ky pushtet i papërgjegjshëm që i shërben Martinit e Nagipit e shokëve të tyre.
E vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj situate është plani i LDK-së për ndërtimin e Centralit me gaz, që do të mundësonte furnizim të përhershëm me energji elektrike” ka shkruar Azemi. /Telegram News