Mosçertifikimi i subjektit politik Lista Serbe, ka ngritur shqetësime në botën politike rreth Kosovës, duke e cilësuar procesin mosçertifikues nga KQZ, ku prijnë vendimet e dy anëtarëve të VV-së Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, si të motivuar politikisht dhe si veprim populizmi pa bazë ligjore.
Po kjo KQZ, me po këta anëtarë të VV-së, Listës Serbe i kanë ndarë 360 mijë euro mjete për funksionimin e saj, ndërsa Lista Serbe, ka dërguar edhe deputetë të saj për votimin e buxhetit të Qeverisë Kurti në Kuvend për vitin 2025, duke ia bërë VV-së votën e 61-të.
Ekspertët politikë aktin e mosçertifikimit të Listës Serbe në KQZ, e kanë cilësuar si politizim populist të VV-së, për vota, duke dashur të tregojnë patriotizëm paraelektoral, së bashku me 100 eurot e ndara .
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka quajtur hap të gabuar mosçertifikimin e Listës Serbe nga KQZ për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, duke thënë se “ky vendim sjell një dëm të pariparueshëm për shtetin e Kosovës, përderisa Lista Serbe nuk ka prodhuar pasoja politike dhe e tërë situata ndodh kur shprehja e mendimit të lirë në Kosovë është e drejtë kushtetuese”.
Enver Hasani ka prekur veriun e vendit duke kritikuar populizmin qeveritar në pretendimet e shtrirjes së sovranitetit përmes pranisë policore.
“Nëse dikush mendon se është shtrirje e sovranitetit përmes policëve të komanduar, gjykatave dhe prokurorëve të komanduar, ai nuk është sovranitet, është governanc, kështu kanë qeverisur popujt e tjerë kur nuk ka pasur përfaqësim politik”, ka shtuar Hasani.
Hasani ka theksuar se ligjërisht pret që Lista Serbe ta ndjek rrugën ligjore për certifikim në KQZ.
Ambasada amerikane në Kosovë e shqetësuar për mosçertifikimin e Listës Serbe nga KQZ
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë ka reaguar duke thënë se si ambasadë janë thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos çertifikuar kandidatët e Listës Srpska.
“Veprimet e KQZ-së rreptësishtë duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thotë zëdhënësi i kësaj ambasade.
Sheqtësime për mosçertifikim të Listës Serbe ka shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, duke thënë në rrjetin “X” se ndan mospajtimet me BE-në dhe SHBA-në.
“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së lidhur me mosçertifikimin e Listës Srpska. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është një procedurë rreptësisht formale që nuk duhet të politizohet”, shkruan ambasadori në “X”.
Rëndësi të veçantë mosçertifikimit të Listës Serbe nga dy anëtarët e VV-së Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, i ka dhënë edhe mediumi prestigjioz ndërkombëtar Associated Press, duke transmetuar mospajtimet e Ambasadës Amerikane në Kosovë për reagimin e KQZ-së.
Eksperti për siguri Burim Ramadani, dyshon në sinqeritetin e anëtarëve të VV-së në KQZ duke thënë se organi qendror i zgjedhjeve ia ka dhënë Listës Serbe 360 mijë euo, atëherë i bjen që shteti i Kosovës e ka financu një organiatë terroriste. “Nëse unë them Lista Serbe është organizatë terroriste duhet me vazhdu që KQZ-ja, shteti i Kosovës është financuesi i një organizate terroriste – sepse ndryshe me nda nuk ka kuptim”, ka thënë Ramadani.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Drejtësisë konsideron se vendimi për mosçertifikimin e Listës Serbe, s’ka dyshim që do të rrëzohet nga PZAP-ja, ose Gjykata Supreme. Kemi provuar diçka të ngjashme më 2019 kur PZAP-ja dhe Gjykata Supreme konfirmuan se KQZ-ja nuk ka autoritet ligjor të shtojë kritere përtej atyre formale të përcaktuara me ligj – kritere që Lista Serbe i plotëson nominalisht, meqë statuti dhe programi i saj nuk përmbajnë referime kundërkushtetuese.
Ehat Miftaraj
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke komentuar mosçertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke e cilësuar refuzimin për certifikim të Listës Serbe nga KQZ pa bazë ligjire dhe të kundërligjshëm./Telegram News