Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar në Dhomat e Specializuara të Kosovës të Gjykatës Speciale, që mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës po paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë.
Seanca ndaj Thaçit është duke u mbajtur për aktakuzën e re që është ngritur ndaj tij, ai ka kërkuar që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë.
“Mosrespektimi i Kushtetutës së Kosovës, ligjeve dhe normave të tjera të Kosovës nga palët, në këtë sallë të shenjtë të drejtësisë, paraqet një rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë. Paraqet një rrezik për cenimin e besimit të qytetarëve. Prandaj, ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë, edhe në këtë sallë”, tha Thaçi.
Si në seancën e kaluar, ish-presidenti i Kosovës theksoi se nuk paraqet rrezik në periudhën kur vendi është pak para zgjedhjeve parlamentare.
Ai ka theksuar se nuk ka interesim për asnjë pozitë.
“Ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj apra se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditës nxitimthi ZPS-a prezantoj aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovës. Unë nuk jam pjesë e garës politike as nuik kam ambicie politke as për kryeministër, as për president, as për deputet as ambicie politike”, tha ai.
Thaçi shtoi se nuk është pengesë dhe nuk paraqet rrezik për askënd.
“Nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, as në kuptimin politik, as për ndonjë projekt qeverisës. Gjatë gjithë jetës time kam punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, me vizionin për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe me një raport të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Thaçi.