Kryeministri Albin Kurti, ka refuzuar sërish t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në lidhje me ftesën që ka marrë nga Prokuroria Speciale dhe mospërgjigjen ndaj saj.
“Do të shkoj në orën 19:30 në një koncert në Sallën e Kuqe”, ka thënë shkurt Kurti pas ngjarjes ku mori pjesë në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën 1945-1999”.
Ndryshe, Kurti nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij në rastin e rezervave shtetërore.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kurti nuk mund të ishte i pranishëm sot për shkak se ai ndodhet jashtë vendit.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Kryeziu.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, tha se Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.
Kurse, avokati Besnik Berisha ka shkruar të hënën se me sytë e tij e ka parë Kurtin në Prokurorinë Speciale, duke pretenduar se e ka kryer intervistimin në Prokurori.
Kurti ishte ftuar për sot në mëngjesë të intervistohet, por nuk kishte shkuar me arsyetim se ndodhet jashtë vendit.