Më shumë se 25 mijë mërgimtarë janë regjistruar për votim deri tash për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se numri i kërkesave të aprovuara gjatë këtyre 100 ditëve është 25 mijë e 253, derisa mbi 1 mijë e 600 tjera thotë se janë refuzuar.
“Deri më tani, gjatë këtyre 100 ditëve, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org, janë aprovuar 25,253 kërkesa ndërsa 1,631 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.
Më tej, sipas tij, pjesa më e madhe e shtetasve janë regjistruar për të votuar përmes postës, qoftë duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës apo brenda Kosovës.
“Nga 25,253 aplikime të aprovuara, 6,723 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike; 3,912 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 14,618 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Afati për regjistrim përfundon më 26 dhjetor.