Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiqin, të cilin e cilëson organizator të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Gjatë takimit të mbajtur të martën në Bruksel, Kurti ka theksuar rëndësinë e ndjekjes penale të këtij rasti.
Kurti ka thënë se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa theksoi se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqesh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti pas takimit.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedën me Kallasin e ka cilësuar si “të hapur dhe të vështirë”.
Në një postim në Instagram, Vuçiq ka bërë të ditur se diskutimi përfshinte tema kyçe për rrugën evropiane të Serbisë dhe çështjet aktuale në rajon.
“Biseduam për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit ‘Banjska’ dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiq.