Sindikata e Telekomit të Kosovës përmes një reagimi në Facebook ka bërë të ditur se qe dy muaj janë pa paga për shkak të bllokimit të llogarive, e që sipas tyre kjo ka krijuar një situatë të rëndë për punëtorët.
Në reagim thuhet se institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për zgjidhjen e kësaj krize dhe se heshtja e tyre tregon papërgjegjmërinë ndaj ndërmarrjes më të rëndësishme të vendit.
Sindikata e Telekomit ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata që me urgjencë të merren me këtë rast, dhe që hetimi i kësaj çështje të jetë prioritet për të zbardhur çdo shkelje ligjore që mund të ketë çuar në këtë bllokim.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit. Kjo është e vetmja rrugë për të garantuar të drejtat e punëtorëve, për të rivendosur stabilitetin operativ dhe për të mbrojtur interesin publik”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
Dy muaj nga bllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës
Janë bërë plot dy muaj që llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar, duke krijuar një situatë të papranueshme dhe të rëndë për punëtorët dhe vetë operimin e kësaj kompanie jetike për vendin.
Punëtorët e Telekomit vazhdojnë të jenë pa paga,çka ka shkaktuar vështirësi të mëdha për familjet e tyre. Ndërkohë, aktiviteti operativ i kompanisë është thellësisht i vështirësuar, duke rrezikuar shërbimet bazë.