Kandidati për kryeministër nga AAK-ka, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Deçani.
Haradinaj ka thënë se Deçani i trimërisë dhe sakrificës mbështet vizionin e AAK-së për Kosovën fituese.
“Deçani i trimërisë dhe sakrificës plot entuziazëm për vizionin e Aleancës për Kosovën Fituese. Sot, në takim me qytetarët dhe strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan, prezantuam kandidatët tanë për deputetë nga kjo komunë, Bashkim Ramosajn, Time Kadrijajn, Daut Haradinajn, Lok Komonin, Rasim Selmanajn dhe Arif Ahmetxhekajn”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se edhe pse i injoruar mga qeveria e Kosovës, Deçani shquhet për qeverisje shembullore.
“Qytetarët e Deçanit, me prezencën e tyre konfirmuan mbështetjen e palëkundur për vizionin tonë për Kosovën Fituese, të anëtarësuar direkt në NATO përmes Planit Aksional. Deçani, edhe pse i injoruar nga pushteti qendror, nën drejtimin e kryetarit Bashkim Ramosaj dhe ekipit të tij, ka arritur të shquhet për qeverisje shembullore. Kjo komunë është radhitur ndër më të mirat sa i përket performancës lokale, duke pasuar traditën e shkëlqyer të gjitha komunave të udhëhequra nga Aleanca”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Mbështetja për Aleancën dhe partnerët tanë në koalicion tregon besimin e qytetarëve në një program që do të sjellë jo vetëm stabilitet, por edhe transformim të thellë për Kosovën. Anëtarësimi direkt në NATO, përmirësimi i sistemeve arsimore dhe shëndetësore, dhe hapja e perspektivës për zhvillim ekonomik janë prioritetet tona strategjike”, ka përfunduar Haradinaj.