Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka denoncuar – siç e quajti ajo – propagandën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila me mospunën e vet dhe izolimin ndërkombëtar që ia ka shkaktuar Kosovës, po përpiqet ta mbulojë duke e atakuar PDK-në se ka lobuar kundër largimit të sanksioneve të BE-së.
Çitaku, në një konferencë për media, njoftoi se lidhur me këto akuza, PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes së VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
“Të mërkurën mbrëma deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shpifur se këta zyrtarë janë anëtari i kryesisë Bernard Nikaj dhe ish-zyrtari i PDK-së Petrit Selimi, në tentim për të njollosur dhe denigruar jo vetëm këta si individë, por Partinë Demokratike. Andaj, PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu-Hyseni. Kosova është nën sanksione, njëjtë si Rusia dhe Bjellorusia, për shkak të Qeverisë së Vetëvendosjes”, shtoi ajo.
Çitaku theksoi se masat ndëshkuese Kosovës ia ka sjellë vetë Albin Kurti me kryeneçësinë e tij, dhe Qeveria e paaftë e me mentalitet shkatërrues e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tani, në gërhamat e fundit të humbjes së tyre, eksponentë të pushtetit, të cilët nuk e kanë bërë asnjë hap për t’i larguar këto masa, duke u përpjekur t’i ikin përgjegjësisë për izolimin ndërkombëtar që ia kanë shkaktuar Kosovës, po e atakojnë PDK-në. Përkundrazi, PDK vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, në çdo takim që zyrtarët tanë kanë pasur me përfaqësues të BE-së. Këtë apel e ka bërë edhe kryetari Memli Krasniqi në takimet e njëpasnjëshme në Bruksel, dhe në takimin me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhey”, tha ajo.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen interesave shtetërore të Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.
“Kosovës nuk i duhet një Qeveri që përpiqet të mbajë pushtetin përmes dezinformatave, shpifjeve dhe akuzave të pabazuara. Kosova meriton një Qeveri që punon me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim për të ardhmen e saj. Kosova meriton një Qeveri që e kthen atë në kursin e zhvillimit dhe të integrimit”, theksoi Çitaku.