Se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut, nuk është në rrezik dhe besimi në Gjykatën Kushtetuese të këtij shteti është i plotë nga këndi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, kanë nxitur reagime të ashpra në të gjitha trojet shqiptare, me theks të veçantë nga shqiptarët e ktij shteti, pasi Komentet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut se ekziston mundësia e shfuqizimit të “Ligjit për Gjuhët”, dyshohet se qëllim kryesor ka ndërhyrjen politike që cenon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i ish -ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, nënvizon se deklarata e Kurtit në raport me gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, është skandaloze.
Deklarata e Albin Kurtit për gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore, i jep shkas Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë Veriore, të rrezokojë nenet e përdorimit të gjuhëve, nën aludimin se gjuha shqipe është themeli i Marrëveshjes së Ohrit që u arrit me shumë vështirësi pas luftës së shqiptarëve me strukturat shtetërore të Maqedonisë më 2001.
Politikanë dhe njohës të rrethanave politikë në Maqedoni dhe Kosovë kanë bërë me dije se vlerësimi i Kurtit ka qenë skandaloze dhe e pafalshëm.
Partia më e madhe shqiptare e Maqedonisë Veriore, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër në deklaratën e Albin Kurtit të bërë dje në një konferencë të përbashkët me kryeminsitrin maqedonas Hristjan Mickoski mbi ligjin për gjuhë në këtë shtet, ku kryeministri Kurti tha se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, ku tri dispozita të ligjit për përdorimin e gjuhës i janë dërguar Komisionit të Venecias e ku qëllimi i vetëm maqedonas është kufizimi dhe cenimi i gjuhës shqipe.
Por çfarë tha Kurti për gjuhët në Maqedoninë Veriore?
“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, ka thënë Kurti.
BDI ka thënë se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe tha se është për keqardhje që këto deklarata “përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Vlerësimi ishte skandaloz, i dëmshëm dhe i pabazuar në fakte. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky ligj u miratua 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, pasi ishte një nga pikat më të kontestuara dhe të vështira të marrëveshjes”, ka thënë ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani.
Pas deklaratës së cilësuar si akandaloze nga Kurti, BDI tha se për të sqaruar çdo keqinterpretim apo pasaktësi informative, kanë shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, partive politike dhe mediave në Kosovë.
“Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve”, sqaroi përmes reagimit BDI-ja e cila shtoi se “shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo”, tha BDI-ja dhe i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të korrigjojë deklaratat.
Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi Kurtit: Historia do të njeh si lider pëçarës i kombit shqiptar
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili dje ka thënë se në Maqedoni të Veriut nuk po rrezikohet gjuha shqipe.
“Historia do të njeh si lider përçarës i kombit shqiptar! Një lider që pretendon të mbrojë interesat kombëtare nuk mund të përfshihet në retorika që dëmtojnë arritjet e bashkëkombësve në rajon. Në vend që të shërbejë si urë lidhëse mes shqiptarëve kudo ku ndodhen, Kurti po ndjek një linjë që forcon ndasitë dhe krijon konflikte të panevojshme. Bashkëpunimi dhe uniteti janë rruga drejt suksesit!”, ka shkruar ajo.
Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët: Dje, u godit gjuha shqipe
Lidhur me deklaratën e Albin Kurtit për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela tha se po i rikthehet mendja te diferencimi ideo-politik si një ndjesi e keqe e së kaluarës kohore nga vitit 1981 kur shovinizmi dhe nacionalizmi e akuzat mbi separatizmin shqiptar ishin lajmet e para mediatike kundër shqiptarëve.
Gazetari Mero Baze nga Shqipëria: Gjuha shqipe u pranua pas luftës me armë të shqiptarëve për të drejtat legjitime
Kritika ndaj Kurtit ka adresuar edhe gazetari nga Tirana Mero Baze, i cili e ka vlerësuar deklaratën e Kurtit si pretendim të dëmshëm.
“Deklarata e Albin Kurtit se gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare në Maqedoni përmbledh në vetvete gjithçka që Albin Kurti po përpiqet të bëjë me historinë e suksesshme të shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. Gjuha shqipe u vendos si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë pasi shqiptarët morën armët në vitin 2001 dhe politika zyrtare e Shkupit u detyrua të ulej në tryezën e Marrëveshjes së Ohrit, duke pranuar shqiptarët si popull shtetformues në Maqedoni”, ka shkruar ai Baze. /Telegram News