Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka qenë në qendër të kritikave këto dy ditë pasi doli në shesh granti i projektit 100 mijë eurosh që Ministria e tij, saktësisht Agjencia për Zhvillim Bujqësor kishte dhënë për Blerim Pacollin, vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Pas një reagimi që bëri dje duke thënë se nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve, ministri Peci sot ka bërë një video në një fermë të lopëve, e ku shpjegon atë që ai e quan “historinë e suksesit” të Ministrisë që drejton.
Peci tregon për subvencionet që janë dhënë në blegtori. Ai thotë se përmes dorës së shtetit fermerët kanë rritur efikasitetin në fermë dhe përmbushjes së standardeve të cilësisë së lartë.
“Ky është rrëfimi ynë i suksesit. Falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët, sektori i blegtorisë është më i fortë se asnjëherë më parë”, thotë Peci ndër të tjera në videon e publikuar.