Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se Prokuroria e Speciales mund ta përfundojë rastin për ish-krerët e UÇK-së në prill të vitit 2025.
Trendafilova tha se Prokuroria i ka komunikuar se janë 43 dëshmitarë dhe data e fundit është më 8 prill për t’i dëgjuar.
“Data është jo më vonë se prilli i vitit të ardhshëm. Kemi dhjetë akuza për secilin të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 153 viktima të përkatësive të ndryshme etnike, shqiptarë, serbë, romë, egjiptianë. Prandaj kemi etni të ndryshme të njerëzve. Dua të sqaroj të gjithëve që janë të interesuar, nuk duhet të mendoni se gjyqtarët po u japin të gjithëve statusin pjesëmarrës, u japin statusin e viktimave të supozuara, dhe kemi kritere të ashpra që duhet të përmbushen në mënyrë që dikush të jetë në gjendje të marrë pjesë në procedura si dëshmitar. I kam detyrat e mia jo vetëm të presidentes por edhe gjyqtares, ajo që më është komunikuar nga Prokuroria është se janë 43 dëshmitarë dhe data e fundit është më 8 prill për t’i dëgjuar. Javën e kaluar, Prokuroria vendosi për t’i larguar 14 dëshmitarë”, tha ajo sot në një konferencë online me gazetarë.
Trendafilova, ka përjashtuar mundësinë e ndikimit në procesin e Speciales, zgjedhja e presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk janë politike./rtk