Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se shpenzimi i karburantit për automjete gjatë vitit 2023 kap vlerën e 31 milionë euro. Këtë deklaratë e ka kundërshtuar ministri i Financave, Hekuran Murati duke thënë “lajmet e rreme nuk kalojnë”.
Ministri Murati tha se për vitin 2023 shpenzimet janë mbi 10 milionë euro dhe se është e pavërtetë shifra 31 milionë euro.
“Lajmet e rreme nuk kalojnë!
Shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe atë lokal, është 10.47 milionë euro. Kjo është e faktuar edhe në raportin vjetor financiar të miratuar e dorëzuar në Kuvend. Duhet theksuar se shumica e këtij shpenzimi shkon për flotën e automjeteve të policisë dhe të FSK-së. Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave për vitin 2023 është 31 milionë euro është i pavërtetë, dhe i pasaktë”, ka shkruar ai në Facebook.
Murati tha se vlera 31 milionë euro përfshinë edhe shpenzime të tjera për ngrohje ose dru zjarri.
“Shifra prej 31 milionë euro që është përmendur nga Raporti Vjetor i Auditimit mund të jetë përmbledhje që përmban edhe shumat që janë shpenzuar për naftë për ngrohje, ose dru zjarri për ngrohje, por nuk ka të bëjë me shifrën faktike që është shpenzuar për karburant për automjete”, shtoi ai. /TelegramNews/