Sot është përuruar rruga Kërstec-Pakishtë-Zapod, që lidh disa fshatra të brezit kufitar të Kosovës me Shqipërinë.
Në përurimin e kësaj rruge ka marrë pjesë edhe kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, ku edhe i është bashkuar një valleje.
Kurti ka publikuar një video në Facebook, ku shihet duke vallëzuar.
“Përurimi i rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod, me gjatësi 6.3 kilometra dhe investim prej 2.6 milionë euro, na përcolli me pritje të ngrohtë dhe me këngë dhe valle. Si për të na treguar mikpritjen e bujshme shqiptare dhe sesa e rëndësishme është kjo rrugë për ta, na bënë pjesë të festës e gëzimit të tyre edhe mua, ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, ambasadorin tonë në Shqipëri, Skender Durmishi, Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Albert Bislim Halilaj, deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh ish-kryeministri i Shqipëri, Pandeli Majko, dhe ish-ambasadorin, Qemal Minxhozi”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se kjo rrugë e bënë më të lehtë qarkullimin dhe lidhjen e fshatrave të këtij brezi kufitar.
“Ishin të lidhur me rrugë me shumë gropa që u shkaktonte vështirësi të mëdha për qarkullim. Tani lidhjen e kanë më të fortë sepse do të jenë më shpejt pranë njëri-tjetrit. Banorët e fshatrave që lidhin brezin tonë kufitar me atë të Republikës së Shqipërisë, Kërstec-Pakishtë-Zapod, nga tash e tutje do ta kenë më të lehtë qarkullimin me infrastrukturën e re rrugore të cilën e përuruam sot.”, ka shkruar ai.
Po ashtu ai tha se kjo rrugë është njëra nga tre rrugët pjesë e protokollit të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në shtator të vitit 2023.
“Ajo lidh fshatrat Pakishtë dhe Zapod të Shqipërisë me Republikën e Kosovës, përkatësisht komunën e Dragashit. Dy rrugët tjera janë Rruga Blinishtë – Dobrunë, që tashmë është ndërtuar, dhe rruga Gorozhup – Pogaj që është në ndërtim e sipër.”, ka shkruar Kurti.