Pasi Ministri i Financave, Hekuran Murati u lajmërua nga Uashingtoni duke pretenduar se “Banka Zhvillimore po bëhet”, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ironizoi me fjalët “mbahuni fort”.
Ajo tha se deri në ditën e zgjedhjeve, shumë gjëra do të ndodhin, por vetëm në Facebook.
“Pas ‘’Fondit Sovran’’ bëhet edhe ‘Banka Zhvillimore’. Mbahuni fort se prej sot deri me 9 shkurt shumë gjana kanë me ndodhë në Facebook.!”, ka shkruar Bajrami.
Gjatë ditës së sotme, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka thënë se “themelimi i Bankës Zhvillimore në Kosovë po bëhet realitet”.
Ai e bëri këtë deklaratë teksa po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Botërore që po mbahen në Washington D.C
“Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kap vlerën rreth 50 milionë euro. Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia etj”, tha Murati.