Kompania e bashkëshortit të deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK’së, Albana Bytyqit, është shpërblyer me tender afro 1 milionë euro nga komuna e Rahovecit e udhëhequr nga kjo parti. Grupi i operatorëve ekonomik, ku kishte konkurruar kompania e Jetmir Bytyqit, del të jetë me çmimin më të lartë se kompanitë tjera konkurruese. Madje vlera e tenderit edhe është tejkaluar.
Komuna e Rahovecit sot ka dhënë një tender për “Vazhdimin e rregullimit dhe rikonstruktimit të shtratit të Lumit Rimnik në Fortesë”.
Çmimi i parashikuar për këtë tender ka qenë 847,649.86 euro.
Ndërkohë që me këtë tender është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik: Capital-Invest Sh.p.k, G Solutions L.L.C.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 955.849.36 euro.
Për këtë tender ka konkurruar edhe një grup tjetër i operatorëve. Liridoni SH.P.K, EdiBau SH.P.K. Lubizhdë 2000. Vlera e ofertës ishte 834.290.03 euro.
Mirëpo, komuna e Rahovecit ka shpërblyer operatorë tjerë me kontratë, ani pse çmimi i ofertës ishte më i lartë.
Njëra kompani fituese, “Capital Invest” e cila është shpërblyer me këtë tender afro 1 milionë euro, është e bashkëshortit të deputetes së AAK’së, Albana Bytyqit, Jetmir Bytyqi.
Megjithatë, Jetmir Bytyqi, tash nuk figuron si pronar i kësaj firme në ARBK, por punësinë e ka kaluar tek Razim Bytyçi.
Bëhet fjalë për firmën “Capital Invest”, nën logon e cilës i është uruar ditëlindja Bytyqit.
Foton e kësaj kompanie, bashkëshorti i Albana Bytyqi, e ka të vendosur edhe në kopertinën e profilit të tij në “Facebook”.
Edhe në punët që kryhen nga kjo kompani, në postimet që bëhen në faqen e kompanisë, urohet Jetmir Bytyqi.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, jo rrallë herë paraqitet bashkë me kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin.
Deputetja Bytyqi ndan në profilin e saj vizita, e momente të ndryshme politike, krah të parit të Rahovecit që vjen nga e njëjta parti.
“Bashkë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, patëm kënaqësinë që këtë ditë vikendi ta kalonim te shtëpia e kryetarit të degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi. Dëgjuam shumë histori e rrëfime interesante nga babai i tij, baca Naim”, ishte një postim i Bytyqit i bërë në prill të këtij viti.
ci