Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar Qeverinë Kurti për rritje të çmimeve të produkteve.
Në një postim në Facebook, Bajrami tha se në cilindo qytet që ka shkuar dhe në secilën familje, diskutimi prej tyre ka qenë se si partia e LVV-së i mashtroi dhe i gënjeu.
“Kudo që shkoj, në secilin fshat e qytet, në secilën familje diskutimi kryesor është se partia në pushtet mashtroi, gënjeu dhe nuk mbajti asnjë premtim. I varfëroi dhe tash me gënjeshtra po tentojnë të vazhdojnë krimin, korrupsionin dhe biznesin me Nagip Krasniqin e Martin Berishajn. Gjatë takimeve me qytetarë në Obiliq, Kaçanik, Viti, Han i Elezit, Ferizaj dhe qytetet e tjera, kanë shprehur zhgënjimin për dyfishimin e çmimit të rrymës ndërkohë ndihen të mashtruar sepse premtimet ishin do të zvogëlohet çmimi”, ka shkruar ajo.
Deputetja tha se gjatë takimeve me qytetarët e komunave si: Mitrovicë, Obiliq, Fushë Kosovë, i kanë thënë asaj se kjo Qeveri është mashtruese.
“Sikurse në secilin qytetet, edhe në Mitrovicën e minatorëve, ashtu edhe në Obiliq e Fushë Kosovë, konstatimi ishte i njëjtë: Qeveri e mashtruesve dhe praktikantëve. Kam takuar qytetarë në Podujevë e Gjilan. Ma kanë përmendur stërzgjatjen e punimeve nëpër rrugë. E kanë përmendur urën e Badovcit që ende nuk u përfundua. Sikurse banorët e qyteteve tjera, edhe llapjanët dhe gjilanasit e kanë kuptuar gënjeshtrën dhe mashtrimin e praktikantëve dhe kontabilistëve të Qeverisë së gënjeshtrave”, tha ajo.
Bajrami shtoi se këtij “mashtrimi” po i vjen fundi dhe se më 9 shkurt qytetarët do t’i thonë “Stop hajnive”.
“Mashtrimit po i vjen fundi sikurse edhe nëntokës së partisë në pushtet. Më 9 shkurt, qytetarët pa asnjë dyshim do t’i thonë STOP hajnive me tenderë njëburimor që kanë kapur shifrën e 273 milionë euro. Më 9 shkurt, qytetarët do t’i çojnë në shtëpi mashtruesit që s’ia kanë sjellë asnjë njohje Kosovës. Që e kanë dërguar Kosovën në sanksione, që kanë hyrë thellë në korrupsion me Nagip Krasniqin, Martin Berishajn dhe nëntokën e Vetëvendosjes. Do të kemi shumë punë pas 9 shkurtit sepse mashtruesit, gënjeshtarët, kontabilistët, shpifësit do të shkojnë në shtëpi e disa drejtësia do t’i dërgoj në Dubravë”, theksoi deputetja. /TelegramNews/