Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi të martën se një “operacion special ushtarak” në Ukrainë do të përfundojë sapo të arrihen qëllimet e Federatës Ruse atje.
Peskov kështu u përgjigj në pyetjen se si Kremlini po përjeton deklaratën e fundit të Presidentit ukrainas Volodimir Zelensky se paqja është më afër sesa duket, raporton Reuters.
Në një deklaratë për mediat, Peskov kujtoi se “çdo luftë, në një mënyrë ose në një tjetër, përfundon në paqe”. Ai shtoi se Rusia nuk ka asnjë alternative për të arritur qëllimet e saj, transmeton Telegram News.
Ai shtoi se sapo të arrihen këto synime, “operacioni special ushtarak”, siç Rusia e quan një luftë gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës, do të përfundojë.
Sa i përket vendimit të mundshëm të Perëndimit për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa perëndimore me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë, Peskov iu referua një deklarate të Presidentit rus Vladimir Putin në forumin ekonomik në Shën Petersburg.
Putin atëherë tha që nëse vendet perëndimore i japin Ukrainës një aprovim të tillë, Rusia mund të vendosë raketat e saj konvencionale brenda mundësive të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Duke iu referuar deklaratës së Putinit, sipas Reuters, Peskov iu përgjigj spekulimeve të mediave se Kremlini mund të hiqte dorë nga moratoriumi për eksperimentet bërthamore në fuqi që nga kohërat pas sovjetike. /TelegramNews/