Qeveria Kurti mbrëmë në mbledhjen e 221 elektronike, në orët e vona ka emëruar Drejtor Ekzekutiv të Agjensionit të Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metajn.
I njëjti është vëllai i deputetes së “Lëvizjes Vetëvendosjes”, Shqipe Metaj.
Mediat kishin raportuar ditë më parë se si Ministria e Punëve të Brendshme po tenton ta vendos në këtë pozitë vëllain e deputetes së VV-së, përmes një konkursi.
Në këtë konkurs ishin paraparë kriteret e pranimit të kandidatëve e ku si kriter specifik ishte paraparë: Njohja e gjuhës Angleze, niveli B2. Por, tek verifikimi paraprak nga menaxheri i personelit të MPB-së, kandidatet të cilët e kanë kaluar verifikimin paraprak nuk e kanë plotësuar këtë kriter specifik, d.m.th. njohjën e gjuhës Angleze, niveli B2.
Tre kandidatë kishin paraqitur ankesa në KPMSHC, por këshilli i kishte shpallur të pabaza të gjitha ankesat.
Më poshtë janë të gjitha vendimet e Qeverisë:
Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 06/56 të datës 26 janar 2022, i ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e Qeverisë Nr.02/184 të datës 15 janar 2024. Sipas këtij plotësim-ndryshimi z. Gëzim Paci bëhet kryesues i Bordit të Postës së Kosovës.
Emëruar z. Genc Metaj në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
Emëruar Komisionit ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
Emërtuar Rrugën Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”.
Ndarë 219,000.00€ për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.
Aprovuar Rregulloren për Vlerësimin e Rezultateve në Punë.
Aprovuar Rregulloren për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknik dhe Mbështetës.
Aprovuar Rregulloren për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës.
Aprovuar Rregulloren për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil./TelegramNews./