Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka komentuar deklaratën e deputetit Haki Abazi.
Abazi ka thënë se ka flirtim mes LVV-së dhe PDK-së, mund të kenë marrëveshje për koalicion
Por kundër këtyre deklaratave ka dalë Hisen Berisha, i cili për Telegram News, ka thënë se deklaratat në lidhje me një marrëveshje të supozuar për një koalicion parazgjedhor midis PDK-së dhe LVV-së janë të pavërteta dhe spekulative.
“Deklaratat në lidhje me një marrëveshje të supozuar për një koalicion parazgjedhor midis PDK-së dhe LVV-së janë tërësisht të pavërteta dhe spekulative. Publikisht, unë kam qenë i qartë se një koalicion i tillë parazgjedhor nuk do të ndodhë; personalisht jam kundër dhe nuk ka asnjë bazë programore apo filozofike për të diskutuar një marrëveshje të tillë, qoftë edhe paszgjedhore”, ka thënë Berisha.
Tutje ai ka thënë se PDK mbetet e angazhuar për të ndjekur një rrugë të qartë dhe të pavarur, duke u fokusuar në interesat e qytetarëve dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit.
“Nuk mund të jemi në koalicion, as para dhe as pas zgjedhjeve, me një sekt politik që u krijua pas takimit të Brezovicës, më pas me lëvizjen KAN për nxitjen e bashkëjetesës serbo-shqiptare, paskëtej me lëvizjen me emërtimin intrigues për ta certifikuar mashtimin me kauzën e bashkimit kombëtar, duke refuzuar dhe motivuar qytetarët, të cilët ai i konsideron si “analfabetë funksionalë”, kundër çdo arritjeje të vendit, që nga Rambujeja, Vjena, deri te cilësimi i shpalljes së pavarësisë si “akt tradhtie””, u shpreh Berisha.
“Kjo lëvizje ka provokuar urrejtje dhe degradim të çdo vlere të kombit tonë dhe të lirisë. Ka degraduar deri në poshtërim veteranët dhe kategoritë e luftës, si dhe, krahas impenjimit me qarqe proserbe e ruse për ngritjen e padisë kundër lidershipit të luftës, tani po ua mohon financimin e mbrojtjes të mbajturve në Hagë, me qëllim që të dënohen dhe me këtë të devalvohet UÇK-ja dhe vlerat e lirisë – shteti dhe pavarësia e konfirmuar nga GJND në Hagë”, vazhdoi Berisha për Telegram News.
Çdo insinuatë për një bashkëpunim me LVV-në është thjesht një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballet qeveria aktuale.