Serbia është e vendosur që të forcojë raportet e përgjithshme dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, veçmas në nivelin ekonomik dhe afarist, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi që zhvilloi me komandantin e Gardës Kombëtare të Ohajos, gjeneralmajor, John Harris.
“Ne konstatuam përkushtimin e ndërsjellë, të sinqertë për vazhdimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Gardës Kombëtare të Ohajos dhe paraqitëm propozime për përmirësimin e raporteve”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Takimi mes Vuçiqit dhe Harrisit u zhvillua në Beograd më 20 shtator, një ditë para 80-vjetorit të “Misionit Halyard”, shpëtimit të pilotëve aleatë nga Serbia e okupuar më 1944.
Një nga temat e bisedimeve ishte situata e sigurisë në Kosovë dhe Vuçiqi i kërkoi Harrisit “mbështetje më të fuqishme nga SHBA-ja” për mbrojtjen e serbëve dhe sigurimit të të drejtave të tyre.
Ushtria e Serbisë dhe Garda Kombëtare e Ohajos kanë bashkëpunim të kamotshëm përmes Programit për Partneritet Shtetëror të Serbisë dhe shtetit amerikan të Ohajos.
Përveç fushës së mbrojtjes, Serbia dhe SHBA-ja po punojnë që të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Dy ditë më parë, Beogradi dhe Uashingtoni kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë./rel