Kosova nuk është e përgatitur për vendime të vështira në Berlin që lidhen me zbatimin e harmonizuar legjislativ dhe juridik të shkëmbimit të mallrave brenda organizatës së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Gjermania po bën përpjekje maksimale që Kosova ta pranojë konceptin e organizatës për tregti të lirë, konform parimit kushtetues të Kosovës për tregti të lirë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini në një paraqitje të shkurtër në Facebook ka shprehur brengosjen se nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit mund të humbë rreth 1 miliardë euro.
Sipas tij, nëse ndodh përjashtimi i Kosovës, gjë që është e mundur, shteti do të humb mbështetjen më adekuate ekonomike.
Sipas Shahinit, dështimi i Kosovës në procesin e Berlinit duke u procesuar me largim edhe nga CEFTA, mund të ketë reperkusione negative edhe në dialog.
Kosova mund të shpallet jo bashkëpunuese në raport me BE-së dhe Serbisë, diçka që Serbia din ta shfrytëzojë për qëllimet e veta politike .
“Sa i përket integrimeve do të humbë një mundësi të madhe për të avancuar në procesin e integrimeve evropian dhe për të përmirësuar dhe forcuar raporte ndërkombëtare sidomos me vendet e BE-së”, ka thënë Shahini.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shenja se do të ketë lëvizje politike dhe ekonomike në raport me kërkesat e emisarit për Ballkanit Perëndimor Sarrazini, për heqjen dorë të Kosovës nga bllokimi i mallrave të Serbisë, brenda një diversiteti të ngarkuar politik në vendet e Ballkanit të armiqësuar historikisht nga ndikimi i nacionalizmit ndëretnik.
BE, që ka ndërtuar trupë të veçantë për Ballkanin Perëndimor duke emëruar Manuel Sarrazinin për shthurje të problemeve, ka nisur zbutjen e tensioneve duke filluar me ekonomi te tregut të lirë ku do të përfitojnë të gjithë.
Qeveria Kurti nuk ka shtruar debat politik e as ekonomik me ekspertët dhe institucionet për t’i analizuar llogaritë e veta ekonomike nga diversiteti i mallrave në rajon, që prekin ndryshime të theksuara.
Nëse nuk do të ndodh bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, do të ndodh përjashtimi edhe nga CEFTA dhe Kosova do të izolohet edhe më shumë politikisht dhe ekonomikisht nga BE, duke përkeqësuar situatën e largimit të sanksioneve të BE-së ku ka humbur rreth 500 milionë euro./Telegram News