Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mbrëmjen e sotme qëndroi për vizitë në Komunën e Suharekës, me rastin e hapjes solemne të përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se Kurti ka folur se e veçanta e këtij përurimi të Shtëpisë së Kulturës, është se po bëhet pikërisht në prag të shënimit të përvjetorit të 22-të të rënies së ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit.
“Kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës”, u shpreh kryeministri.
Kurti potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve tanë.
“Në futboll: Ballkani e Suhareka; në basketboll: Golden Eagle Ylli; gjatë verës qytet i Karnavalit; pa dashur t’i përmendi zërat e bukur të këngës që dalin nga ky vend, më duhet ta them se nuk kishte se si të mos e ndërtonim këtë hapësirë kaq të madhe e kaq të bukur, për këtë qytet përplot gjallëri, e talentë në Suharekën tuaj, në Suharekën tonë.”, ishin fjalët e kryeministrit Kurti, në përurimin e Shtëpisë së Kulturës.
Në këtë ceremoni e pranishme ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.