Mbi 200 mijë punëtorë kanë braktisur Kosovën në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke e rritur ndjeshëm numrin e atyre që emigrojnë jashtë vendit. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në sektorët e ndërtimtarisë dhe të gastronomisë, ku ikja e punëtorëve është më e theksuar.
Kështu bën të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, derisa tregon se statistikat e reja për numrin e punëtorëve që kanë braktisur Kosovën janë grumbulluar duke monitoruar flukset e tyre nëpërmjet aeroporteve dhe linjave të autobusëve.
Azemi tregon se mbi 90 për qind e këtyre punëtorëve kanë qenë të punësuar në sektorin privat.
“Sipas të dhënave tona, kjo shifër mbi 200 mijë punëtorë. Unë e di që për dikë është një shifër jo shumë serioze. Por, megjithatë ne llogarisim që janë diku rreth 250 mijë punëtorë në sektorin privat të Kosovës dhe është shumë normal që mbi 250 mijë i kemi pasur punëtorë pa kontrata pune, të cilët nuk kanë qenë të evidentuar. Si i kemi marrë këto statistika? Realisht ne i kemi bërë vetë vizita ku kemi marrë ikjen e punëtorëve që kanë dalur jashtë përmes aeroportit, ikjen e punëtorëve që kanë dalur përmes autobusëve dhe jemi ardhur deri tek një shifër, e cila tek ne është shumë më e madhe. Megjithatë, ne e kemi rrumbullaksuar në gjashtëmujorin e parë kemi mbi 200 punëtorë, ose mund të themi mbi 200 mijë të rinj të kanë ikur nga Kosova…Nëse e marrim në balancim, punëtorët e sektorit privat me ata publik, është rreth 92 me 7 për qind të sektorit publik”, thotë Azemi.
Azemi potencon se mungesa e punëtorëve të kualifikuar po shkakton stagnim në shumë projekte madhore.
“Vërejtja më e madhe është tek punëtorë e ndërtimtarisë, sepse ikja e tyre është bërë dyfish më e rëndë. Në njërën anë punëtorët e kualifikuar e kanë gjetur vetën shumë më mirë atje. Dhe ana tjetër është që punëtorët në Kosovë, tani për ta ndërtuar një pallat kompanisë të kualifikuar, e këta njerëz po mungojnë. Pra, ikja e rëndë e dyfishtë, ikja e njerëzve të kualifikuar dhe mungesë e punëtorëve të kualifikuar për të cilën shumë projekte edhe rrugore dhe të mëdha janë në stagnim e sipër për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar”,potencon Azemi.
Ai thotë se nuk po merret asnjë veprim për të ndaluar këtë trend të ikjes.
“Mund të themi se është shumë më e madhe ikja këtë vit sesa vitet e kaluara procedurë për të ikur. Por, megjithatë edhe vitet e kaluara nuk ka qenë më keq. Mesatarisht 40 mijë deri në 60 mijë punëtorë (që kanë dalur jashtë vendit) kemi pasur gatë 2022-ës dhe 2023-ës. Kemi ikje për të cilën askush nuk është duke e qarë kokën. Ne kemi propozuar që të ulemi si partner qeveria, punëdhënësit që ne që së paku t’ua ofrojmë atë që mundemi…Ata nuk kanë qenë të interesuar, por në fakt tani definitivisht këtë frakturë po e paguan Kosova, por kryesoren po e paguajnë pronarët e kompanive që nuk kanë qenë në nivelin e duhur në raport me punëtorët”,thotë Azemi. /kp