Nga Agjencia e Regjistrit Civil në Prishtinë është pranuar njoftimi se e dyshuara femër kosovare, ka bërë kërkesë në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Mitrovicë Veri, për konvertimin e patentë shoferit, por gjatë verifikimit, dyshohet se ajo nuk posedon fare patentë shofer.
Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.
Dje edhe zyrtarisht përfundon afati për konvertimin e patentë -shoferëve nga ato ilegale në ato të Republikës së Kosovës.
E deri më tani janë konvertuar 6 mijë e 509 patentë-shoferë.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas të dhënave, numri më i madh i konvertimeve është bërë në komunën e Leposaviqit, gjithsej 2018 patentë shoferë, Mitrovicë veriore 1576, Zveçan 1177 dhe Zubin Potok 961.
Afati për konvertimin e patentë-shoferëve të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës ishte zgjatur sërish më 8 gusht deri më 23 gusht, pasi sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, kishte interesim të madh të qytetarëve.
Deri më 7 gusht numri i patentë-shoferëve të konvertuar ishte 5588./kp