Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë së mërkurës, ka vizituar klubin e Llapit.
Klubin nga Podujeva e cilësoi si simbol i krenarisë dhe talentit.
“Jam i kënaqur që sot vizitova klubin futbollistik Llapi në Podujevë, i cili është një simbol i krenarisë dhe talentit. Që nga themelimi i tij në vitin 1932, KF Llapit ka qenë djepi i shumë futbollistëve të shkëlqyer, duke përfshirë legjendën e paharruar Fadil Vokrri”, ka shkruar fillimisht Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.
Tutje, ai ka lavdëruar edhe trajnerin e klubit, Tahir Batatinën për ngritjen që i ka bërë skuadrës tash e sa vite.
“Tahir Batatina, me punë të jashtëzakonshme ka ngritur klubin në nivele të larta profesionale, duke arritur pjesëmarrjen në garat evropiane. Kjo tregon potencialin e madh që ka sporti ynë”, ka përfundua ai.
Ndryshe, kjo vizitë e Haradinajt në klubin e Llapit, vjen në vazhdën e fushatës parazgjedhore të tij.