Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se në SHBA s’ka parë entuziazëm për lobim për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Hovenier kujtoi se si Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Evropës për shkak të mos-plotësimit të kushteve për dërgimin e draft-statutit për Asociacionin.
“Nuk kam parë shumë entuziazëm në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë tani për anëtarësime të reja në organizatat ndërkombëtare. Kemi bërë përpjekje të vërteta për Këshillin e Evropës, por Kosova pastaj nuk tregoi vullnet për të ndërmarrë hapin që partnerët e saj evropianë dhe ne ia kërkuam, që të dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij”, deklaroi ai.
“Më duhet të them, e ka zbehur entuziazmin e Qeverisë amerikane për t’i vazhduar këto përpjekje, përderisa Kosova nuk do ta ndërmarrë madje as këtë, sipas këndvështrimit tonë, hap mjaft të vogël dhe të hershëm në këtë proces”, shtoi ambasadori amerikan.