Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.O., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se njëjti ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.
K.O., më 22 maj 2024, rreth orës 20:35, në vendkalimin kufitar Vërmicë, duke hyrë në Kosovë nga Shqipëria, pa autorizim ka poseduar narkotikë marihuanë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.
Gjatë kontrollit nga policia, në “Honda Jazz”, të cilën veturë ishte duke e vozitur i pandehuri, në brendi të motorit të veturës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një qese najloni me marihuanë në peshë 86.89 gramë, ndërsa në trup të tij, i është gjetur një qese najloni me marihuanë në peshë 0.90 gram.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.