Për mbylljen degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës vënë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it.
Në reagimin që e ka përcjellë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se “Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se SHBA i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërpresë veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.
Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë BE përmes një deklarate.
Sikurse SHBA edhe BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.
Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.
Mbyllja e objekteve është dënuar prej zyrtarëve të Postës së Serbisë, Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.