Një i vdekur dhe 15 të plagosur është bilanci i aksidentit në të cilin është përfshirë një autobus me turistë gjatë ditës së djeshme në Badia al Pino afër qytetit italian Firenca.
Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që kanë mbërritur për ndihmë edhe helikopterë nga Arezzo dhe Bolonja.
Të gjithë pacientët u dërguan në spitalet e Arezzo, Siena dhe Valdarno, siç raportohet në rrjetin X nga kryetari i rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, i cili është në kontakt me drejtorin e përgjithshëm të ASL Toscana Sud-Est, Antonio D’Urso duke koordinuar planin me emergjencat në Arezzo, raporton ANSA.
Tash për tash nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës dhe as gjendja e të lënduarve.