Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, për periudhën e parë gjashtë mujore të këtij viti.
Të gjeturat nga ky monitorim sugjerojnë se Qeveria e Kosovës, nga 147 aktivitete të parapara për t’u realizuar në këtë periudhë, ka realizuar vetëm 33% prej tyre, ndërsa 40% e aktiviteteve kanë mbetur të parealizuara.
Drejtoresha e FOL, Mexhide Demolli, ka thënë se për 27% të aktiviteteve kanë munguar të dhënat sepse nuk kanë marrë përgjigje nga tri ministri, ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Për këtë, Demolli ka bërë të ditur se FOL ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe se janë në pritje të “realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.
“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara t’i realizojë gjatë periudhës janar-qershor 2024 ka arritur t’i realizojë vetëm 49 prej tyre apo 33%. Ndërkaq, 59 aktivitete apo 40% e tyre kanë mbetur të parealizuara”.
“Ndërsa, për 39 aktivitete apo 27%, që i bie totali për tri ministri, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lëvizja FOL nuk ka marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete për periudhën e paraparë gjashtë mujore të këtij viti. Kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe jemi në pritje të realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.
“Përveç tri ministrive që nuk janë përgjigjur, i kemi edhe katër ministri që nuk kanë pasur asnjë aktivitet të planifikuar për periudhën e parë të këtij viti, të cilat janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këto ministri, realizimin e aktiviteteve të tyre për Planin Kombëtar e kanë paraparë që ta bëjnë një herë në vit. Nga ajo që kemi mësuar nga gjithë këto vite monitorim është se kjo bëhet për t’i ikur pak raportimit”, ka thënë Demolli.
Ndërsa, monitoruesja Burbuqe Kastrati, bëri të ditur se për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024.
“Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit”./eo