Pas informacioneve së në pesë shkolla të Komunës së Prishtinës viti i ri shkollor do të fillojë me mësim tërëditor, prindërit kanë shprehur qëndrimin e tyre.
Ata kanë thënë së nuk janë kundër këtij vendimi, por që përgatitjet duhet të bëhen me kohë në mënyrë që të mos ketë vonesa për fillim të vitit të ri shkollor. E, njohës të arsimit, vlerësojnë se ky projekt, është vështirë i realizueshëm.
Liridon Shala, kryetar i Këshillit të Prindërve të Shkollës fillore “Faik Konica”, e cila është pjesë e këtij projekti, i tha Radio Kosovës se në parim, prindërit nuk janë kundër këtij projekti, por së kërkojnë që të mos ketë vonesa për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Këshilli i Prindërve në parim, nuk është kundër. Ne i kërkuam DKA-së, që nëse ju jeni të zotë që brenda dy muajve e pajisni shkollën me të gjitha kushtet për fillimin e procesit mësimor, me modelin e mësimit tërëditor, atëherë prindërit i ke mbrapa në mbështetje. Ndërkohë nëse jo, e na vëni në një situatë ku pastaj krijohet një kaos, atëherë ta dini që do të keni reagime”, ka thënë Shala.
Se realizimi i projektit të mësimit tërëditor është vështirë i realizueshëm, e thonë edhe njohës të arsimit. Xhavit Rexhaj i tha së është kundër seleksionimit të shkollave dhe se ky projekt nuk është planifikuar si duhet.
“Hiq nuk jam për çështje selektive në zbatimin e mësimit tërëditor në shkolla. Është iluzion të thuhet që unë filloj mësimin tërëditor. Nuk e përkrahi sepse konsideroj që nuk është e planifikuar mirë ”, ka thënë Rexhaj.
Ndërkaq, Rinor Qehaja, nga Instituti “Edguard” tha se është e rëndësishme përfshirja e të gjithë komunitetit në këtë proces. Ai tha se për këtë çështje, kërkohet një komunikim dhe koordinim i vazhdueshëm me shkollat dhe komunitetin e prindërve.
Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme në infrastrukturën e objekteve shkollore dhe se ky proces, pritet të fillojë në shtator të këtij viti.
“Ne jemi duke u angazhuar që t’i rinovojmë dhe t’i bëjmë gati planprogramet dhe stafi është pothuajse gati, janë në finalizim e sipër. Jemi në një periudhë kur po bëhen përgatitjet infrastrukturore dhe mendojmë të fillojmë nga ky shtator”, ka thënë Lushaku.
Shkollat e kryeqytetit që do të fillojnë më mësimin tërëditor nga shtatori i këtij viti janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” shkolla “Model”, shkolla “E Gjelbër” dhe ajo “Nazim Gafurri”.