Sipas hulumtimit me nxënësit e klasave të pesta nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, Faton Ismajli dhe Arben Fetoshi ka rezultuar se mbi 20% e nxënësve në Kosovë qëndrojnë në media deri në pesë orë gjatë ditës.
Në hulumtimin e realizuar për mostër kanë qenë 651 nxënës dhe 132 mësimdhënës. Profesori Faton tha se mesatarja e qëndrimit online gjatë ditës të nxënësve në Kosovë është rreth 3 orë.
“Ndërkaq mesatarja e qëndrimit online gjatë ditës të nxënëseve në Kosovë rezulton rreth 3 orë. Mbi 30% e nxënëseve qëndrojnë 1 orë gjatë ditës, 27% qëndrojnë 2-3 orë, mbi 20% qëndrojnë 4-5 orë ndërsa rreth 20% qëndrojnë mbi 5 orë”, tha Ismajli.
Sipas hulumtimit, Ismajli thotë se mbi 50% e nxënësve e përdorin si media Youtube dhe Snapchat.
“Është një hulumtim që është bërë me nxënësit e klasave të pesta dhe me mësimdhënësit e këtyre klasave. Gjetjet kryesore të këtij hulumtimi, kemi parë se nxënësit përdorin Youtuben mbi 50% dhe Tiktokun 25.3% ndërsa Snapchat përdorin 19.2% , Instagram 1.8% dhe Facebooku mbetet i fundit që përdoret 1.8%”, tha profesori Faton.
Nga profesori tejet shqetësuese shihet fakti se 3.7% e nxënësve në Kosovë shohin përmbajtje me dhunë.
“3.7% e nxënëseve në Kosovë shohin përmbajtje me dhunë dhe kjo është shqetësuese dhe se fëmijët mund të jenë jo të sinqertë sepse përmbajtjet me dhunë i tërheqin më shumë fëmijëve”, tha Ismajli, transmeton Telegram News.
Gati gjysma e nxënësve në Kosovë (40.1%) qëndrojnë online mbi 3 orë gjatë ditës, ndërsa 24.1% nuk kanë asnjë kufizim nga prindërit, profesori Arben Fetoshi këtë e sheh si një faktor të rëndësishëm.
“Menaxhimi dhe qëndrimi në rrjete sociale nga fëmijët është një shkallë ndërmjetësimi nga familja, si mjedis i parë dhe është mjedisi më i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve”, tha Fetoshi.
Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj tha se duhet mbrojtje ndaj fëmijëve nga pasojat që po shkaktojnë rrjetet sociale.
“Kanë filluar të na paraqiten në shkollat tona rreziqe të tmerrshme nga rrjetet sociale dhe sidomos nga Tiktoku dhe kemi lëndime”, tha Jasharaj.
Në fund të këtij tubimi, profesorët kanë bërë thirrje për shtimin e lëndës “Edukimi medial” në shkollat fillore. /TelegramNews/