Faton Hajrizi, është vrarë pas rreth 40 orë kërkimesh. Ai dyshohej për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë.
Avokati Skënder Musa është deklaruar rreth këtij rasti dhe ka thënë se vrasja e Hajrizit nuk dallon shumë nga vrasjet e paraluftës të Serbisë.
“Nuk dallon shumë nga vrasjet e para luftës që kanë ndodhur nga autoritetet e Serbisë. Pa marrë parasysh se a ka reaguar i ndjeri Hajrizi apo nuk ka reaguar, Policia ka qenë e obliguar që së pari të provojë arrestimin e tij dhe jo gjithë ato forca policore te shtinë breshër automatikësh siç po raportohet. Mirëpo edhe në të kaluarën edhe në kohën e regjimit të Millosheviqit edhe para luftë, autoritet e Serbisë çdoherë kur kanë qenë në pyetje shqiptarët nuk i kanë respektuar procedurat ligjore të arrestimeve. Mirëpo aksionet e tyre kanë përfunduar më vrasjen e shqiptarëve”, ka thënë Musa.
Musa foli edhe rreth përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë për të cilët tha se nuk kanë përgjegjësi për arratisjen e Faton Hajrizit.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjegjësi sa i përket arratisjes, sepse Shërbimi Korrektues i Kosovës është shërbimi më i mirë në rajon dhe punon sipas praktikave të mira të BE-së. Mirëpo të burgosurit arratisen në çdo vend të botës. Në Kosovë numri i të arratisurve është i vogël.”, shtoi Musa. /TelegramNews.com