Edhe pse pa ekonomi prodhuse, industriale, metalurgjike dhe konkurente, Kosova vazhdon të mbijetojë nga gjobat, tatimet dhe inkasimet në sektorin privat dhe me tkurrjen e numrit të banorëve, Kosova rrezikon stabilitetin fiskal, meqë nuk ka ekonomi prodhuese si shtylla ekonomike.
“Kosova dhe Shqipëria, nuk duhet të varen nga raportet dhe inatet personale Rama, Kurti”, ka nënvizuar ish drejtuesi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu, për gazetën TelegramNews.
Kryeministri Kurti jo rrallë ka anashkaluar selitë politike shqiptare për qëndrime në Greqi, duke marrë kritika nga opozita dhe analistët dhe gjithë kjo presupozohet se ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh për shkak të raporteve të nivelit degradues mes dy kryeministrave Kosovë-Shqipëri.
Këtë tezë e mbështesin politologët dhe ekonomistët njëri ndër të cilët Gërxhaliu konstaton se “jemi dëshmitarë të raporteve të tensionuara Rama- Kurti në dy shtete të një populli të ndarë që kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë ekonomike që paraqesin Kosova dhe Shqipëria.
E para në ekonominë minerare nëntokësore me potenciale për zhvillim energjetik, e dyta për turizëm mbi nivelin evropian”, spikat Gërxhaliu duke shtuar se në nivel shtetesh po ndodh një distancë si shprehje e inateve politike.
Nënshkrimet ndërqeveritare me shumë pak rezultate ekonomike
Në rrethana normale, eksporti dhe importi Kosovë-Shqipëri do të duhej zhvilluar mes dy firmave biznesore, e jo mes dy shteteve, konstaton ish kryetari i OEK-ut.
Ai thekson se Kosova dhe Shqipëria kanë organizuar shumë takime ndërqeveritare të cilat sipas protokollit do të ishte dashur të japin efekte ekonomike, por fazat implementuese, kanë degraduar shpesh nga sjelljet e politikave ditore për konsum të brendshëm.
“Nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, lajmi i mirë, nuk shihet lajm dhe vetëm lajmi i keq përbën lajm dhe shpesh mirëpritet dhe promovohet”, vë në dukje Safet Gërxhaliu.
Aktualizimi i debatit për turizëm
Për shkak të aktualizimit të debatit për turizëm, një numër i konsiderueshëm kosovarësh nuk i kalojnë pushimet verore në Shqipëri.
Për dallim nga vitet e kaluara kur bregdeti shqiptar ishte destinacion kryesor për kosovarët, këtë vit debati i politizuar ka krijuar plasaritje ndërkufitare në turizëm.
Për ta paraqitur këtë sfidë si jo reale, kryeministri Rama është dashur të bëjë foto nga dritarja e improvizuar për ta paraqitur plazhin e Durrësit me laramani ombrellash në aludim se kosovarët janë aty ku ishin zakonisht në pushime verore.
“Ky debat sa tendencioz dhe i politizuar po i dëmton raportet, më shumë se që po i konsolidon ato”, konstaton Gërxhaliu.
Kriza ekonomike në Kosovë detyron qytetarët të marrin kredi për pushime verore
“Kriza ekonomike në Kosovë ballafaqon çdo ditë qytetarët dhe bizneset me sfida mbijetese”, konstaton Gërxhaliu për të shtuar:
“Varfëria dhe inflacioni i lartë kanë bërë që shumë qytetarë të hyjnë në kredi për të financuar pushimet verore.
Sipas statistikave bankare dhe institucioneve mikrofinanciare, shumica e qytetarëve po përballen me vështirësi ekonomike. Inflacioni dhe çmimet e larta të produkteve bazë dhe mos rritja e pagave kanë bërë që 50% e popullsisë as të mos mendojnë për pushime verore , gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Gërxhaliu.
Një shifër e përafërt me realitetin kreditor për pushime flet statistikisht me shifra për rritje kredi marrësish .
Rreth 200 mijë qytetarë llogariten se kanë marrë kredi për pushime verore dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat e vitit të kaluar kur qytetarët e Kosovës kanë marrë 4.7 miliardë euro kredi bankare dhe 5.8 miliardë euro depozita./TelegramNews