Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka pasur një rritje të interesit për Programin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Nagavcit, Universiteti i Prishtinës ka raportuar se për këtë vit akademik, është regjistruar një numër më i madh aplikantësh për këtë program. Ajo bëri të ditur se afati për regjistrimin e studentëve në këtë universitet është mbyllur sot.
“Në Programin e Gjuhës Shqipe janë aplikuar 137 studentë (85% më shumë se vitin e kaluar), ndërsa në Programin e Letërsisë Shqipe janë aplikuar 102 studentë (94% më shumë se vitin e kaluar). Interesimi për këto drejtime është shtuar, pasi MASHTI do të ofrojë bursa vjetore për herë të parë për studentët e këtyre programeve, me shumën e 1 mijë euro në vit për secilin student”, shkruante ajo në një status të publikuar në Facebook.
Ministrja Nagavci shprehu gëzimin e saj për rritjen e interesit për këto programe dhe siguroi se ato nuk rrezikohen të mbyllen.
“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Gjuhën dhe Letërsinë shqipe edhe me nisma të tjera”, shtoi ajo.