Pak ditë para nisjes për në Paris, atje ku Kosova do të përfaqësohet me nëntë sportistë në Lojërat Olimpike, presidentja e vendit Vjosa Osmani ia ka dorëzuar xhudistes Nora Gjakova flamurin e shtetit nën të cilin do të garohet me shtetet më të forta të botës në Francë.
Me këtë rast, Osmani tha se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune te pashoq që në shumë raste kanë punuar edhe në mungesë të kushteve elementare
Ajo siguroi atletët gjatë garës në Paris duhet ta kenë në mendje që i gjithë populli do të jetë në mbështetje të tyre dhe se zemra e çdo kosovari do të rrah për ta, derisa theksoi se këta atletë me fitoret e tyre do të sjellin fitore për të gjithë Kosovën dhe kjo do të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja.
“Për Kosovën pjesëmarrja jonë në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të palodhur, shumë vjeçare, përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq, nganjëherë edhe në rrethana jashtëzakonshme të sportistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Është dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit tonë dhe aftësisë për tu ngritur mbi sfidat e për të shkëlqyer në skenën botërore…Ndërsa dilni në skenën globale mbani në mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, zemra e secili qytetar do të rrah bashkë me tuajën, një shtet i tërë qëndron me ju duke iu brohoritur me krenari dhe besim të plotë në aftësinë dhe punë tuaja”, tha Osmani.
Kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se ky është një moment historik derisa Kosova merr pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike. Ai tha se këto suksese të njëpasnjëshme janë rezultat i punës dhe pasionit të atletëve por edhe të trajnerit Driton Kuka.
Kurti theksoi se rruga drejtë Parisit nuk është e lehtë por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të pa imagjinuara.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se pjesëmarrja e Kosovës është manifestim i shpirtit luftarak kombëtar. Sipas tij, Kosova është e gatshme për ta shijuar një tjetër sukses të atletëve në Paris dhe atletët do të jenë heronj modern të vendit.
Frymëzim atletëve me fjalimin e saj iu dha kampionja olimpike Majlinda Kelmendi. Para tyre ajo tha se Kosova po i vazhdon sukseset e mëdha në sport edhe pas saj, derisa shtoi se në Paris ekipi po udhëton për medalje të tjera elitare.
“Iu dëshirojë shumë sukses sportistëve, ta shijojmë këtë eksperiencë dhe këtë udhëtim që kalon shumë shpejtë dhe që përfundon karriera e sportistit sepse realisht është e shkurtër, nuk kam besuar, mirëpo tani që e kam përfunduar karrierën po e shoh që sa momente të bukura kam pasur, çfarë emocionesh kam përjetuar që rrallë herë mundesh t’i përjetosh ato emocione diku tjetër, kështu që ta shijojmë dhe ta japim maksimumin”, tha Kelmendi..
Lojërat Olimpike në Paris do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht.