Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga ambasada turke në shtetin tonë, me rastin e “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” të Turqisë.
Në fjalën e tij, kryeministri përkujtoi dëshmorët e demokracisë të cilët 8 vjet më parë, më 15 korrik 2016, i shpëtuan institucionet demokratike të shtetit të Turqisë të zgjedhura nga populli turk, nga një përpjekje e dështuar grusht-shteti.
“Mesnatën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016, populli i Kosovës ishte me popullin e Turqisë, sepse ne jemi dy popuj miq, shtetet tona janë partnere dhe aleate, kurse vendet tona ndajnë shumë të përbashkëta si nga e kaluara historike, ashtu edhe nga e tashmja e demokracive tona dhe e ardhmja e synuar prosperuese.” thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ai nënvizoi marrëdhëniet e ngushta me Turqinë, si nga ana e rolit të Turqisë në NATO gjatë luftës në Kosovë dhe kontributit të ushtarëve turq në kuadër të trupave të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në Kosovë.
Më tej, kryeministri foli për vizitat në Turqi dhe takimet me Presidentin Recep Tayip Erdoğan.
“Janë gjithë këto interesa dhe vlera të përbashkëta që na mbajnë të lidhur dhe në raporte miqësore dy vendet tona. Duke i qëndruar pranë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin, ne i mbrojmë republikat tona dhe vlerat e përbashkëta demokratike.” përfundoi fjalën e tij./TelegramNews.com