Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve që të refuzojnë dhunën politike dhe të riangazhohen për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.
Biden foli nga Zyra Ovale një ditë pas atentatit kundër ish-presidentit republikan, Donald Trump, i cili pritet të jetë rival i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Të shtënat në mitingun e Donald Trumpit në Pensilvani na bëjnë thirrje të gjithëve që të bëjmë një hap prapa”, tha Biden.
“Në Amerikë nuk ka vend për këtë lloj dhune – për asnjë lloj dhune”, theksoi ai.
Biden tha se Partia e tij Demokratike dhe republikanët mund të konkurrojnë fuqishëm mbi vizione të ndryshme politike, por se këtë duhet ta bëjnë në një mënyrë të qytetëruar.
Në Amerikë, tha ai, “ne i zgjidhim mosmarrëveshjet në kutitë e votimit, e jo me plumba”.
Sipas tij, “fuqia për të ndryshuar Amerikën, duhet të qëndrojë gjithmonë në duart e njerëzve, e jo në duart e vrasësve të mundshëm”.
“Urrejtja nuk duhet të ketë një port të sigurt”, tha Biden.
Politika, sipas tij, duhet të jetë “një arenë për debat paqësor”.
“[Ajo] nuk duhet të jetë kurrë një fushë beteje dhe – Zot na ruaj – një fushë vrasjesh.
Pavarësisht se sa të forta janë bindjet tona, ne kurrë nuk duhet të rrëshqasim në dhunë”, sipas presidentit amerikan.
Ai kërkoi nga amerikanët që të mbështesin demokracinë, ku “argumentet bëhen me mirëbesim” dhe ku “respektohet shteti i së drejtës”.
“Një demokraci amerikane, ku mirësjellja, dinjiteti dhe loja e ndershme nuk janë thjesht nocione të çuditshme, por realitete të gjalla.
Ua kemi borxh këtë atyre që erdhën para nesh, vetes, fëmijëve tanë dhe nipërve tanë”, tha Biden në fjalimin rreth 6-minutësh.
Kjo ishte hera e tretë që ai e shfrytëzoi Zyrën Ovale për të komentuar çështje me rëndësi të madhe për amerikanët, që kur mori pushtetin në vitin 2021.
Tetorin e kaluar, ai mbajti një fjalim për konfliktet në Gazë dhe në Ukrainë, ndërsa në qershor të vitit 2023 iu drejtua amerikanëve për një marrëveshje me republikanët lidhur me buxhetin.
Këtë herë, adresimi u bë më pak se katër muaj para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Biden nuk i adresoi kritikat e bëra ndaj tij nga disa republikanë, të cilët e akuzuan për përforcim të retorikës përçarëse kundër rivalit të tij, Donald Trump.
Më herët, Trump, i cili u qëllua në vesh gjatë një tubimi në Pensilvani të shtunën, u bëri thirrje amerikanëve që të “qëndrojnë të bashkuar”.
Ai do të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane, e cila nis të hënën dhe zgjat katër ditë.
Shërbimi Sekret tha se “nuk po parashikon asnjë ndryshim operacional” për sigurinë.
Sulmuesi i dyshuar i Trumpit, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.
Nga të shtënat u vra një spektator, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë./REL