Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka paralajmëruar sot se të gjithë banorët e Kosovës të cilët kanë refuzuar që të bëhen pjesë e regjistrimit të popullsisë do të gjobiten.
Në një konferencë për media, ai tha se bëhet fjalë për qindra persona që kanë refuzuar të regjistrohen, teksa gjoba për individë është 2 mijë euro, ndërsa për persona juridik, organizata dhe shoqata deri në 20 mijë euro, e të cilat pritet të shpallen brenda pak javësh apo në muajin shtator.
“Ndoshta brenda dy-tri javëve do t’i shpallim, ndoshta edhe në shtator, do t’i shpallim gjobat duke filluar prej atyre që kanë dalë publik kundër regjistrimit…Ka të komunitetit shqiptar dhe komunitete e tjera, s’po flasim për serbët në veri, është shumë pak, është krejtësisht minor, që nuk ia vlen të diskutohet, vetëm qindra, nuk kalon në mijë…Për individ është dy mijë euro, ndërsa për persona juridik, organizatë, OJQ, shoqatë është 20 mijë euro”, tregoi Kastrati.
Kastrati, nga gazetarët u pyet nëse ka statistika se sa është numri i popullsisë sipas etnive, porse tha se këto detaje pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.
“Për indikatorët tjerë, përfshirë përkatësinë, religjionin, edukimin, punësimin do të publikohen në dhjetor. Është një kriter një standard që të dhënat publikohen në fund të këtij viti”, tha Kastrati.
Përveç kësaj, Kastrati tha se ende nuk mund të publikohen të dhënat nga regjistrimi i dëmeve të luftës në Kosovë.