Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me homologun e tij nga Shqipëria, Taulant Balla, kanë nënshkruar sot protokollin për lehtësimin e procedurave të kalimit kufitar në pikat Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec-Krushevë, Borje-Glloboçicë dhe Orgjost-Orçush.
Sveçla, në një konferencë për media, e ka falënderuar Ballën për bashkëpunimin dhe gatishmërinë, dhe ekipet e ndërsjella për punën e tyre.
“Ne vazhdojmë të punojmë për efikasitetin dhe për të bërë jetën e qytetarëve tanë sa më të lehtë”, tha Sveçla.
Ndërsa Balla tha se eksperienca nga pikat e kalimit në Morinë dhe Vërmicë po shfrytëzohen edhe për pikat e tjera kufitare.
“Po reduktojmë kohën për shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po regjistrojmë të gjitha tabelat përmes sistemit të targave”, shtoi Balla.